Agim Ademi (63), Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, flet përpara ndeshjes kualifikuese për Botërorin mes Zvicrës dhe Kosovës. Ai shpjegon ps
Agim Ademi (63), Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, flet përpara ndeshjes kualifikuese për Botërorin mes Zvicrës dhe Kosovës. Ai shpjegon pse Leon Avdullahu (21) nuk luan më për Zvicrën – dhe pse helvetikët nuk kanë arsye të frikësohen prej tij, shkruan Blick pas intervistës, përcjellë Kërlaçki.
Leon Avdullahu (21) shihet si një figurë kyçe për Kombëtaren e Kosovës për më shumë se një dekadë.
Ironikisht, pikërisht në Bazel – qyteti ku ai u formua si mesfushor premtues – Avdullahu do të përballet me Zvicrën, tashmë si përfaqësues i Kosovës.
Deri në nivelin U21, ai ka luajtur 22 herë për përfaqësueset e moshave të Zvicrës.
Në një intervistë për Blick, presidenti Agim Ademi shpjegon situatën:
Zoti Ademi, a duhet të dridhet Zvicra përballë Kosovës?
Jo, Zvicra nuk ka pse të frikësohet, as nga unë, as nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ne jemi miq të mirë – dhe nga miqtë nuk ke pse kesh frikë. Marrëdhëniet tona me Zvicrën janë të shkëlqyera. Por në futboll, në fund, rëndësi ka kush fiton. Prandaj ne do të kërkojmë fitoren të premten.
Po flisnim për suksesin tuaj në bindjen e Leon Avdullahut që të luajë për Kosovën.
Sa i përket lojtarëve me shtetësi të dyfishtë: Ne jemi të hapur për këdo që dëshiron të përfaqësojë Kosovën dhe që ka nivelin e duhur. Në Zvicër ka një diasporë të fuqishme shqiptare, që ruan rrënjët e veta, ndjen gjakun kosovar dhe e do shtetin e prindërve dhe familjes – edhe pse shumë prej tyre kanë lindur në Zvicër.
A ndjeni ndonjë lloj faji për faktin që Zvicra ka investuar në formimin e Avdullahut si futbollist?
Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës Zvicrës, që e ka pranuar dhe mbështetur komunitetin tonë. Është e vërtetë që në Zvicër futbollistët kanë më shumë mundësi sesa në Kosovë. Por shqiptarët gjithashtu e kanë ngritur nivelin e futbollit zviceran – duke filluar me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin në përfaqësuese. Në Super League shpesh luajnë pesë apo gjashtë futbollistë me prejardhje shqiptare, ndërsa në ekipet e të rinjve ka një numër shumë të madh talentesh shqiptare. Ne gëzohemi kur ata zhvillohen mirë – dhe jemi të lumtur kur ndihmojnë edhe Kosovën. Zvicra na ka ndihmuar në realizimin e ëndrrës për pavarësi, na mbështet ekonomikisht dhe administrativisht – dhe mund të thuhet se edhe sportivisht. Por ajo nuk ka pse të ketë frikë prej nesh – as unë nuk ndjej faj. Askush nuk është detyruar të luajë për ne.
Si e bindët Leon Avdullahun që të zgjidhte Kosovën?
Ai vendosi me zemër. Por është edhe shumë i mençur, analitik – prandaj u bind edhe nga projekti ynë. Megjithatë, në radhë të parë, ishte një vendim i zemrës.
Çfarë roli luajtën prindërit e tij në këtë vendim?
Bisedimet me Leonin dhe rrethin e tij kanë vazhduar për më shumë se një vit. Njohim mirë familjen e tij dhe kemi një lidhje të afërt miqësore. Por prindërit u treguan të matur dhe qëndruan jashtë vendimit. Ata ia lanë plotësisht Leonit zgjedhjen. Ai është një djalë që nuk mund të ndikohet lehtë.
Na tregoni më shumë për projektin që përmendët.
Ne kemi sjellë shumë lojtarë të rinj, të moshave 17 deri 20 vjeç, të cilët synojmë t’i kemi në ekip për të paktën dhjetë vitet e ardhshme. Synimi ynë është të kualifikohemi në një Kampionat Evropian. Dhe Leon ka një rol qendror si lider i kësaj gjenerate të re, që do të ndërtojë themelin e ekipit. Ne besojmë se ai mund të bëhet Granit Xhaka i Kosovës. Natyrisht, ai është ende i ri – dhe nuk duam ta ngarkojmë me presion të panevojshëm. Por besojmë fort që ai do të zhvillohet shumë në të ardhmen.

