Lance Armstrong i lindur më 18 shtator 1971, e mposhti kancerin pothuajse terminal, e më pas u bë shtatë herë fitues i garës më të famshme të biçikliz
Lance Armstrong i lindur më 18 shtator 1971, e mposhti kancerin pothuajse terminal, e më pas u bë shtatë herë fitues i garës më të famshme të biçiklizmit në botë, Tour de France. Por bota nuk e kujton as si inspirim e as si kampion të madh, por si mashtruesin më të madh në historinë e sportit.
Atij tetori të vitit 1996 Lance Armstrong ishte, siç do të thonin amerikanët, “the next big thing”. Djali nga Teksasi ishte shpresa më e madhe jo vetëm e biçiklizmit amerikan por edhe botëror, djalosh prej të cilit priteshin gjëra të mëdha. Këtë e kuptuan ekipi francez Cofidis, që i dha kontratë prej dy milionë dollarësh, dhe Nike, që nënshkroi me të marrëveshje prej një milion dollarë në vit.
Armstrong së fundmi ishte shpërngulur në një villë gjigante, një milion dollarëshe pranë liqenit Austin. Në Teksasin e tij të lindjes sapo kishte fituar në garën prestigjioze Tour DuPont, kishte fituar në disa etapa të garave të mëdha evropiane dhe e ardhmja dukej e ndritshme. Ishte një nga favoritët kryesorë për ta fituar Tour de France, por nuk arriti ta përfundonte për shkak të lodhjes që u shndërrua në bronkitis.
Ai kishte probleme me dhimbjet në ijë dhe në testise, por gjatë kohë i kishte injoruar. Dhimbje të tilla për njerëzit që janë të varur nga dhimbja dhe që ulen në biçikletë nga gjashtë orë në ditë janë gjë normale. Kishte edhe dhimbje të shpeshta koke dhe kollë të fortë, por nuk ishte brengosur shumë deri sa një mbrëmje filloi të nxirrte me kollë shumë gjak.
Shpresonte se ishte fjalë për ndonjë infeksion
Nuk ishte mirë dhe shkoi në spital. Pas ekzaminimit të parë u dërgua në të dytin, pastaj në të tretin. Kur mjeku Jim Reeves e thirri në zyrën e tij dhe ia kumtoi rezultatet, Armstrong, i cili kishte menduar se ishte ndonjë virus apo inflamacion, nuk mundi ta besonte, ashtu siç nuk do të mundte askush.
“E ula kokën në tavolinën e doktorit dhe vetëm heshta disa minuta. Isha në shok të plotë”, tha Armstrong. Mjeku i kishte kumtuar se kishte kancer të testisit të shkallës së tretë, i cili ishte përhapur në nyjet limfatike, mushkëri, bark dhe tru. Ishte 2 tetor 1996, dhe Lance kishte 25 vjet.
I lindur më 18 shtator 1971, Armstrong nuk kishte pasur fëmijëri të lumtur. Nëna e kishte lindur në moshën 17 vjeçare, kurse babai e kishte lënë kur ai ishte dy vjeç. Jetonte në kushte të vështira, ndërsa nëna e tij, të cilën gjatë jetës do ta konsideronte si heroinën më të madhe, punonte dy punë në ditë për t’i ushqy dhe për t’ia mundësuar një fëmijëri sa më normale.
Shumë i suksesshëm si triatlonist
Qysh në shkollë të mesme filloi të merrej me triatlon, e në mënyrë profesionale që nga mosha 16 vjeçare. Ishte triatlonisti më i mirë amerikan në grupmoshën U-19, dhe në vitin 1989 e 1990 u bë kampion kombëtar. Biçiklizmi gjithmonë i kishte qenë disiplina më e fortë dhe, kur kishte vetëm 17 vjet, mori ftesë për të stërvitur me ekipin olimpik amerikan të biçiklizmit në Kolorado.
Dy vite më vonë u bë kampion kombëtar në konkurrencën e amatorëve, ndërsa në Olimpiadën e Barcelonës më 1992 zuri vendin e 14 në garën rrugore. Në garën e tij të parë profesionale në Evropë, në San Sebastian, doli i fundit, por në vitin 1993 fitoi në dhjetë gara.
Atë vit garoi për herë të parë në Tour de France dhe fitoi etapën e tetë, e dy vite më vonë fitoi prapë. Ishte periudha në jetën e Armstrongut kur ai vetëm përparonte, sportivisht dhe financiarisht, por tash e kuptoi që gjithçka po ndalej dhe para tij ishte një garë shumë më e vështirë. Ajo me kohën.
“Kur mori vesh diagnozën, më pyeti cilat janë shanset. I thashë njëzet deri pesëdhjetë përqind, por e thashë vetëm për ta qetësuar dhe për t’ia lehtësuar sadopak. Realisht, nuk kishte asnjë shans”, tha vite më vonë Reeves në një intervistë.
Të nesërmen Armstrong iu hoq një testis, por ky ishte vetëm fillimi. Rezonanca magnetike tregoi dy lezion në tru. Në mushkëri i gjetën 12 tumore, disa prej tyre madhësie sa topi i golfit, dhe kanceri po i përhapej shpejt në pjesë të tjera të trupit. Tri javë më vonë iu nënshtrua një operacioni kompleks të trurit në Indianapolis.
“Më prenë gjysmën e kafkës dhe e hoqën që të mund ta operonin trurin. Si të marrësh një kungull dhe ta presësh në gjysmë”, tregoi Armstrong, i cili në vetëm disa ditë nga një njeri para të cilit ishte krejt bota u bë pacient terminal pa shans për mbijetesë.
Kimioterapi brutale
Lance iu nënshtrua formave më të rënda të kimioterapisë, disa edhe eksperimentale, që do të linin pasoja të mëdha te secili – nëse do të mbijetonin. Kthimi në jetën normale, me punë nga ora 9 deri në 5, do të ishte mrekulli. Kthimi në sport, e sidomos profesional, as që përmendej.
“Vetëm ta dini, kam me e mposhtë këtë sëmundje dhe kam me u kthye me u garu prapë”, e shokoi Armstrong publikun me deklaratën pas lajmit se ishte rëndë i sëmurë. Iu nënshtrua kimioterapive të rënda që për tre muaj ia shkatërruan trupin, Lance i mbeti pa flokë dhe u bë i zbehtë.
Muskujt e këmbëve iu tkurrën dhe dobësuan nga qëndrimi shtrirë, mushkëritë i digjnin, por gjithmonë mendonte vetëm si të kthehej në biçikletë. Një ditë doli me shokun në një vozitje të lehtë në Austin, por u rrëzua pas vetëm 20 minutash.
“Dy muajt e parë ishin të tmerrshëm. Më ishte aq keq sa nuk mundja as me hangër, as me pa televizor, as me lexu email. Biçikleta as që më shkonte në mend. Doli që në atë fazë, kur isha më së keqi, fillova me e fitu kancerin”, tha Armstrong.
Ngadalë, trupi i tij u kthye në formë dhe filloi ta fitonte garën më të rëndësishme në jetën e tij, atë me kancerin. Mjekët konstatuan se trupi si i Armstrongut paraqitet vetëm një herë në rreth një milion raste të kancerit.
Vozitjet prej 20 minutash filluan të bëhen 45 minuta. Kontrollat tregonin se kanceri po tërhiqej, edhe pse ende ishte aty. Nga një njeri që flinte 12 orë pas kimioterapive u bë njeri që mes dy kimioterapive voziste biçikletë nga 50 kilometra në ditë.
Vozitjet prej 50 kilometrash u shndërruan në stërvitje të rënda prej 150 kilometrash dhe të gjithë në Cofidis ishin në shok kur Armstrong, në janar 1997, tre muaj pas diagnostikimit, u shfaq në stërvitje në Lille i zbehtë, me plagë në kokë dhe prerje në trup.
Në shkurt u konstatua se në trupin e tij nuk kishte më qeliza kanceroze dhe se ishte shëruar plotësisht. Përkundër shërimit të pabesueshëm, Cofidis nuk ia rinovoi kontratën. Armstrong i peshoi opsionet, por vendosi të provohej prapë. Mori kontratë nga US Postal Team me pagë 200 mijë dollarë në vit dhe u kthye në biçiklizëm.
Vendosi të pensionohej
“Ishte katastrofë. Garën e parë e mbylla në vendin e 14, gjë që më futi në dëshpërim. U regjistrova në Paris-Nice, që zgjat tetë ditë, por u tërhoqa ditën e dytë. Nuk doja jetën që ia kisha kthyer vetes ta kaloja duke u dridhë në biçikletë”, tha Armstrong, dhe pas kthimit në SHBA i tha të fejuarës Kristin, agjentit Bill Stapleton dhe trajnerit Chris Carmichael se do të pensionohej.“Pas meje ishte periudha kur frikohesha se do të vdisja çdo ditë. Më dukej se e meritoja që pjesën tjetër të jetës ta kaloja në pushim. Luaja golf, vozisja jet-ski, shtrihesha në kauç dhe surfova. Isha i padobishëm”, tregoi Lance dhe shtoi:
“Në një ditë, Kik (Kristin) erdhi tek unë dhe më tha: ‘Ndale këtë shtrirje e dembeli. Unë gjithmonë kam me të dashtë, por ky nuk je ti.’ Kishte të drejtë. Fillova ta ndërroj mendimin për pension.”
Bill Stapleton e bindi që të regjistrohej në US Pro Championship në maj 1998. I tha se i duheshin vetëm dhjetë ditë stërvitje serioze dhe do të ishte gati. E futi Armstrongun në një regjim brutal në malet e Karolinës së Veriut, ku fitoi në shumë gara.
Ne nuk dorëzohemi
“Ditën e fundit ngjitesha në një majë 1700 metra të lartë. Ishte pranverë, binte shi dhe ishte tmerrësisht ftohtë. Qysh në fillim isha i lagur. U ngrita në biçikletë dhe shtypa fuqishëm pedalen. Njëherë, dy herë, prapë, prapë. Punova si kalë, më doli djersa dhe e ndjeva atë zjarrin në vete që e kisha dikur.
Chris e uli dritaren dhe përmes shiut bërtiste: ‘Hajde! Hajde!’ Dhe nisa. Teksa ngjitesha, krejt jeta më kalonte para syve. Fëmijëria, garat e para, kanceri. Nëna më kishte lindë në moshën 17 vjeçare dhe nuk kishim perspektivë. Më kishte tregu se si ishte e frustruar pse askush nuk e vlerësonte në punë.
E pyeta: ‘Pse nuk jep dorëheqje?’, e ajo tha: ‘Lance, ti dhe unë nuk dorëzohemi.’ E pyeta veten nëse kisha ende gara brenda meje, dhe pastaj në rrugë pashë një mbishkrim të zbehur ‘Go, Armstrong!’ që tifozët e kishin lënë vite më parë. Vrapova përpjetë. Kur arritëm në majë, Chris tha se do ta vendoste biçikletën në makinë.
I thashë: ‘S’ka shans. Unë zbres vetë.’ Isha si në trans. U zbrita plot dashuri për biçikletën, madje për jetën në tërësi. U ndjeva përsëri si biçiklist”, tregoi atë moment emocional Lance Armstrong.
Nuk kishte më nevojë t’i dëshmonte askujt asgjë. Edhe sikur të mos kishte hipur kurrë më në biçikletë, Armstrong do të ishte fitues absolut. Do të ishte njeriu që e mposhti jetën dhe frymëzim për shumë fëmijë dhe njerëz me të njëjtin problem.
Por, Lance Armstrong zgjodhi të gjitha këto t’i hidhte anash dhe të bëhej mashtruesi më i madh në historinë e sportit.
Në vjeshtë 1998 e shokoi botën duke zënë vendin e katërt në Vuelta. Të njëjtin rezultat e arriti edhe në Kampionatin Botëror, e në vitin 1999 fitoi sensacionalisht Tour de France shtatë minuta e gjysmë para Alex Zülle-s. Jan Ullrich ishte i lënduar, ndërsa Marco Pantani kishte probleme me doping, kështu që dy favoritët nuk ishin aty.
U përkthye ngaIndex

