Bylbyl Sokoli, përveç që nuk ka asnjë skuadër që e ka udhëhequr për më shumë se një vit, ai ka ndërruar edhe mendime politike. Megjithëse sporti s’ka
Bylbyl Sokoli, përveç që nuk ka asnjë skuadër që e ka udhëhequr për më shumë se një vit, ai ka ndërruar edhe mendime politike.
Megjithëse sporti s’ka të bëjë me politikën, megjithatë politika determinon gjithçka – sidomos në një vend të vogël si Kosova, ku njerëzit janë të ndërthurur në interesa, në njohje mes veti dhe shumë gjëra të tjera, deri te ato familjare.
Por, kush është Bylbyl Sokoli në të vërtetë?
Një djalosh nga Rahoveci, që ia kishte dalë të përfundonte Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës dhe është i martuar me një doktoreshë. Është arritje e madhe të luaje në atë kohë edhe për një klub të përzier etnikisht, siç ishte KNI Ramiz Sadiku – ekip që në një moment garonte në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë (1983/84) dhe ndër më të organizuarat në ish-Ligën e Parë Krahinore të Kosovës.
Bylbyli ishte i pazëvendësueshëm në këtë ekip. Ai shpesh flinte edhe në “barakat” e klubit, të cilat përdoreshin si dhoma zhveshjeje. Mësonte deri vonë natën. Nuk ishte i përkëdheluri i sistemit, megjithatë s’ishte i vetmi që në atë kohë nuk pajtohej fare me regjimin komunist titist, që për pjesën më të madhe të shqiptarëve ishte okupues. Por nuk flisnin të gjithë.
Pas përfundimit të fakultetit, lënies së futbollit dhe pushtimit total nga Serbia, në shprehje erdhi edhe patriotizmi i Bylbylit – si trajner, por edhe më shumë se kaq!
Kishte filluar punë si trajner i Flamurtarit, sa ende s’ishte prishur situata – para viteve ’90 – dhe menjëherë kishte dalë në pah karakteri i tij, shpesh subjektiv, gati arrogant. Futbollistët e një ekipi lagjeje si Flamurtari nuk e kishin duruar – për atë kohë emra të njohur si futbollistë, tani edhe në pozita drejtuese në fusha të ndryshme të futbollit.
Billi s’kishe lënë gjurmë në Flamurtar. Por, 2 Korriku, një skuadër e cila pretendon se është themeluar që moti, në fakt para viteve të ’90-ta ishte më shumë klub i një lagjeje të përzier etnikisht si ‘Proleteri’, dhe garonte në Ligën Rajonale të Prishtinës, ishte bërë faktor – edhe me ndihmën politike të udhëheqësve të saj të afërt me LDK-në e asaj kohe dhe me presidentin Ibrahim Rugova.
“Billi” aty organizon gjithçka. Sepse, s’kishte asgjë. Ishte koha që ekipet që luanin në ara, e të kishin shkollë futbolli, as që mendohej. Dhe ata fëmijë kishin edhe pajisje sportive, si tuta me logon e klubit – sepse ekipet e tjera nuk i kishin as te seniorët.
Ishte kohë sakrifice dhe futbollistët ose luanin pa para, ose edhe për 100 marka të atëhershme në muaj.
Deri dikur… Pastaj patën shpërthyer edhe financat në atë kohë. Thuhet se i vetmi përfitues financiar i futbollit në atë kohë ishte “Billi”. Fitonte shumë. Edhe zgjidhjen e banimit e kishte përfunduar atëherë.
Paslufta ishte parajsë. Bylbyli afrohet me krerë të njerëzve të luftës – sa me të Llapit, po ashtu edhe me të Ferizajit, e deri në kohët e fundit me të Drenicës. Patriot, luan rrëfimin e Bashkimit Kombëtar pa ia nda.
Udhëheq Besianën, të mbështetur nga financues të sigurt, dhe nga mbrapa me komandant.
Udhëheq të gjitha klubet e mundshme. Asnjërin më shumë se një vit. Udhëheq me sukses edhe Bashkimin, edhe ish-Milanon e Kumanovës, edhe Renovën e Tetovës.
Nuk ishte trajner që nuk dinte, por risi nuk kishte. Ishte i përpiktë. Shpesh shndërrohej edhe në ekonomat, apo mirëmbajtës fushe. Klubet ku ka udhëhequr kanë shpenzuar shumë mjete.
Kur ia kishte dalë të udhëhiqte edhe klubin më të madh në vend, FC Prishtina, arritja e tij më e madhe në CV-në e tij kishte përfunduar – ishte vulosur. Por në rastin e dytë, kishte bërë presion të madh të largohej Mirel Josa dhe të vinte vet, kur e pa gjendjen në klub, pas dy ndeshjesh, dy ditë para ndeshjes së tretë, kishte ikur me motivacion të operimit – që nuk kishte ndodhur kurrë!
Teposhtja e Sokolit pas Prishtinës nuk ndalet, derisa sërish, duke qenë ndër më të ngriturit intelektualisht dhe kombëtarisht, i bie në sy edhe kryeministrit aktual Albin Kurti – dhe dikur këshilltarin për sport të Hashim Thaçit – i cili e angazhon si kandidat për deputet, për të cilin edhe ka sukses.
Dhe kur përçarjet janë të mëdha politike – të krahut të luftës dhe partive të tjera opozitare me partinë në pushtet – deri kur edhe kandidati për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, kërcënon me “ngrehje zhagas” të njerëzve në pushtet, Bylbyli, si përfaqësues i këtij pushteti, po udhëheq – duhet me thënë – me sukses klubin e Lushtakut, FC Drenica.
Megjithëse i atakuar nga ish-futbollistë të skuadrës dhe nga publiku drenicas, duket se Bylbyl Sokoli ka bërë “ligjin” e vet edhe në Drenicë – dhe sidomos fitorja e fundit kundër Dritës në Gjilan, e ka shndërruar edhe në mit, edhe në Drenicë!

