Tifozët e Real Madrid-it kanë zbarkuar në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almaty, për përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj skuadrës vendase K

Tifozët e Real Madrid-it kanë zbarkuar në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almaty, për përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj skuadrës vendase K
Pavarësisht lodhjes nga fluturimi shtatëorësh dhe diferencës kohore prej tri orësh, mbështetësit e “Los Blancos” mbërritën në Almaty me buzëqeshje dhe plot entuziazëm.
“Për të qenë i sinqertë, nuk e kam parë ndonjëherë ekipin e Kazakistanit duke luajtur, por sigurisht që do të jetë ndeshje e vështirë”, tha Joaquin Botella, 40 vjeç, për agjencinë AFP.
Skuadra e Xabi Alonso-s vjen pas një humbjeje të rëndë 5-2 ndaj rivalëve lokalë Atletico Madrid, duke pësuar pesë gola për herë të parë në një derbi që prej vitit 1950.
Real Madrid fitoi ndeshjen e parë në Champions League ndaj Marseille me rezultat 2-1 dhe tani përballet me Kairat, të cilët humbën 4-1 ndaj Sporting Lisbonës në javën e parë.
Për vendasit, përballja ndaj 14-herë kampionëve të Evropës është pa dyshim momenti më i madh në historinë e klubit.
“Me siguri do të japin maksimumin e tyre”, tha Yolanda Castellanos, 54 vjeç, një stjuardesë fluturimi nga Spanja. “Kjo është ndeshja e jetës për ta.”
Ndërsa Francisco Asencio, një kapiten avioni dhe tifoz i Realit, ishte më i sigurt:
“Jam i bindur që do të fitojmë. Vetëm një lojtar i Real Madridit është i jashtëzakonshëm. Kur i sheh në ‘Bernabeu’ çdo të diel, mbetesh pa fjalë nga cilësia që kanë.”
Real Madrid përballet me Kairat të martën, në një ndeshje që shumë e kanë cilësuar si një nga pabarazitë më të mëdha në historinë e Champions League. Por për vendasit, kjo është më shumë se një përballje — është mundësia për të shkruar histori.

