A mund të luftojnë Prishtina dhe Dukagjini për titullin e kampionit?

HomeFutboll VendiAlbi Mall Superliga

A mund të luftojnë Prishtina dhe Dukagjini për titullin e kampionit?

Prishtina dhe Dukagjini po udhëheqin befasueshëm tabelën e Superligës me nga 13 pikë, diçka që pak kush do ta kishte parashikuar në fillim të sezonit.

Java e pestë e Superligës sjell duele të zjarrta në futbollin kosovar
FFK zhvendos derbin Prishtina – Ballkani në Hajvali
Fund: Prishtina – Drita 2-2

Prishtina dhe Dukagjini po udhëheqin befasueshëm tabelën e Superligës me nga 13 pikë, diçka që pak kush do ta kishte parashikuar në fillim të sezonit.

Ky edicion ka nisur me shumë surpriza, por padyshim më e këndshmja është Dukagjini i Ismet Munishit, që deri më tani ka grumbulluar 4 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje.

Dukagjini i Munishit ka krijuar një identitet të qartë: skuadër që vrapon shumë, fiton duele dhe është e papërmbajtshme në fazën ofanzive. E fortë sidomos në shtëpi, ajo di të reagojë edhe kur gjendet në disavantazh.

Munishi ka kombinuar në mënyrë perfekte energjinë e talenteve të rinj si Dienit Isufi, Erlis Xhemajli e Dardan Morina me eksperiencën e lojtarëve si kapiteni Basriu, Altin Merlaku, Egzon Sinani e Mërgim Pefqeli.

Fillimisht synimi ishte Europa – që klubi e kishte arritur edhe me Armend Dallkun – por tashmë dilema është: a mund të shkojë më larg, deri te titulli kampion?

Prishtina, nga ana tjetër, është treguar skuadra më e fuqishme në fazën sulmuese, me repartin ofensiv më të mirë të kampionatit deri tani. Megjithatë, pika e dobët mbetet mbrojtja, që renditet ndër më të dobëtat në Superligë.

Trajneri Arsim Thaçi, i cili para nisjes së sezonit ishte mes qëndrimit dhe largimit, ka arritur të ndërtojë një ekip që në fazën kreative është më i saktë dhe më i qartë se kushdo tjetër.

Bardhekaltërve u mungon titulli prej pesë vitesh, ndërsa vijnë pas një periudhe të gjatë me probleme financiare dhe mungesë në arenën evropiane – motiv shtesë për të kërkuar lavdinë këtë sezon.

Ndërkohë, Ballkani dhe Drita, që priteshin të dominonin, kanë nisur në mënyra të ndryshme: suharekasit janë më të qendrueshëm duke zënë vendin e tretë, ndërsa kampioni aktual, Drita, e ka nisur në mënyrën më të dobët të mundshme, duke mbetur në fund të tabelës me vetëm pesë pikë.

Ky fillim sezoni e ka hapur garën më shumë se kurrë, ndërsa pyetja qëndron: a do të jenë Prishtina dhe Dukagjini vetëm befasitë e momentit, apo pretendentë seriozë për titullin?