Champions League | Napoli fiton, Juventus ndalet në barazim. Napoli regjistroi fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur 2-
Champions League | Napoli fiton, Juventus ndalet në barazim.
Napoli regjistroi fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur 2-1 Sportingun në “Diego Armando Maradona” falë dopietës së Rasmus Hojlund, i cili u bë heroi i skuadrës së Antonio Contes.
Fitorja e Napolit vjen në një moment të rëndësishëm për skuadrën e Contes, që kishte nevojë të kthehej te rezultatet pozitive pas një nisjeje të vështirë. Performanca e Hojlund, i cili shënoi një gol pas një aksioni të shpejtë dhe një tjetër me kokë nga këndi, tregon se sulmuesi është gati të marrë rolin kryesor në këtë skuadër. Nga ana tjetër, Sporting tregoi karakter duke u rikthyer me penalltinë e Luis Suarez, por mungesa e qartësisë në sulm i kushtoi.
Rezultatet e mbrëmjes tregojnë se ndërsa Napoli rifiton besimin në garën europiane, “Zonja e Vjetër” vazhdon të vuajë nga mungesa e stabilitetit, me dy barazime radhazi në grup.

Villareal
Ndërkohë, Juventusi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në transfertën ndaj Villarrealit, pasi goli spektakolar me roveshatë i Federico Gattit dhe finalizimi i bukur i Francisco Conceicaos u prishën në minutën e fundit nga Renato Veiga, duke e mbyllur sfidën 2-2.
Juventusi pati një natë të ndërlikuar. Fillimisht u gjend në disavantazh pas golit të Mikautadzes, por me hyrjen në lojë të Francisco Conceicaos gjithçka ndryshoi. Ai krijoi një gol, shënoi një tjetër, dhe dukej sikur do të ishte heroi i ndeshjes, derisa Veiga, ish-lojtar i bardhezinjve, ndëshkoi ish-ekipin e tij me një goditje me kokë në minutën e fundit. Për Tudorin, ky është një tjetër sinjal se skuadra nuk arrin të mbyllë ndeshjet në mënyrën e duhur, një problem që po përsëritet si në Evropë, ashtu edhe në kampionat.
Në aspektin e tabelës, Napoli merr frymë më lehtë dhe futet në garë për kualifikim, ndërsa Juventusi duhet të shohë përpara me kujdes, pasi çdo hap fals mund të rëndojë rrugëtimin drejt fazës me eliminim direkt.

