Me fitoren ndaj Portugalisë, Bullgaria siguroi kualifikimin mes tetë ekipeve më të mira të Botërorit, për herë të parë që prej vitit 2010. Fitorja e k
Me fitoren ndaj Portugalisë, Bullgaria siguroi kualifikimin mes tetë ekipeve më të mira të Botërorit, për herë të parë që prej vitit 2010. Fitorja e katërt radhazi e mban ekipin e pathyer në këtë turne ku marrin pjesë 32 kombëtare.
Portugalia rezistoi vetëm në setin e dytë, ndërsa në të tretin bullgarët shpërthyen me një seri 18-6, të udhëhequr nga Martin Atanasov, Aleks Grozdanov dhe Aleksandar Nikolov. Ky i fundit ishte edhe lojtari më produktiv i ndeshjes, me 19 pikë (17 goditje fituese, një bllok dhe një as shërbimi), si dhe 8 pritje të shkëlqyera.
“Jam shumë krenar për ekipin. Nuk dua të flas më shumë, por ndiej që jemi të fortë dhe gati për çerekfinalet”, tha 23-vjeçari Nikolov.
Moni, nga ana tjetër, shpërndau 23 pasime perfekte, duke drejtuar me autoritet lojën bullgare. Atanasov dhe Grozdanov shtuan përkatësisht 9 dhe 8 pikë.
Bullgaria dominoi në të gjitha aspektet: 37-23 në sulm dhe 11-2 në bllok, duke lënë Portugalinë të pafuqishme.
“Ky kualifikim është shpërblim i punës sonë. Federata dhe kombëtarja po nisin një proces të ri, dhe fakti që jemi mes më të mirëve tregon përpjekjet tona. Jam shumë i lumtur që jemi këtu”, tha Moni Nikolov pas ndeshjes.
Tani bullgarët synojnë gjysmëfinalen e parë pas 19 vitesh, përballë SHBA-së ose Sllovenisë.
Ndërkohë, për Portugalinë, rrugëtimi përfundoi në 1/16-ën, në kthimin e tyre në Botëror pas më shumë se dy dekadash. Asnjë prej lojtarëve portugezë nuk arriti shifrat dyshifrore në pikë, me Nuno Marques dhe Lourenco Martins që kryesuan me vetëm 6 secili—larg mesatares së tyre në fazën e grupeve.
Vëllezërit Nikolov ndjekin trashëgiminë e të atit me Bullgarinë në Botëror
Moni dhe Aleks Nikolov po shkëlqejnë në Kampionatin Botëror të Volejbollit për Meshkuj 2025, duke udhëhequr Bullgarinë drejt katër fitoreve radhazi dhe një vendi në çerekfinale.
Triumfi më i fundit i bullgarëve erdhi në fazën e 1/16-ës, ku mposhtën pa mëshirë Portugalinë me rezultatin 3-0 (25-19, 25-23, 25-13), në ndeshjen e zhvilluar në SM Mall of Asia Arena, në qytetin Pasay.
Përtej spektaklit që japin në fushë, Moni kujton gjithmonë arsyen pse ai dhe i vëllai luajnë volejboll: për të vazhduar trashëgiminë e të atit, Vladimir Nikolov, ish-anëtar i kombëtares bullgare që fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e vitit 2006 në Japoni.
“Jam krenar për veten dhe për vëllain tim. Po japim gjithçka për të vazhduar emrin dhe trashëgiminë e tij—Nikolov”, u shpreh Moni, vetëm 18 vjeç, por tashmë një organizator i klasit të lartë.
“Shpresojmë të arrijmë një medalje në këtë turne, por edhe nëse jo, e dimë që kemi dhënë maksimumin. Dhe për këtë ai duhet të ndihet krenar për ne”, shtoi më i riu i familjes.
Aleks, 21 vjeç, është aktualisht realizatori i dytë më i mirë i turneut pas fazës së 1/16-ës, me 90 pikë të grumbulluara nga 80 goditje fituese, 6 shërbime pikësh dhe 4 blloqe. Nga ana tjetër, Moni renditet i shtati mes pasuesve dhe ka gjithashtu 30 pikë personale—një arritje e rrallë për një lojtar në rolin e organizatorit.
Megjithatë, edhe pse Bullgaria ka ecur me hapa të sigurt deri tani, Aleks mbetet me këmbë në tokë, duke ditur se sfida më e vështirë i pret në çerekfinale, ku do të përballen me SHBA-në (nr. 4 në botë) ose Slloveninë (nr. 6).
“Po ndihemi të sigurt, por nuk duam të parakalojmë ngjarjet. Në çerekfinale, qoftë Sllovenia apo SHBA, do të hyjmë për të luftuar fort”, tha Aleks.

