Dita e portierëve

HomeFutboll Internacional

Dita e portierëve

Një zinxhir lëvizjesh që përfshin Manchester United, Manchester City, Fenerbahçen dhe West Hamin, vendos fatin e katër portierëve brenda pak orësh Mer

Arbër Hoxha shënon golin e parë sezonal në derbin kroat
Rozhkov: Daku do të shkëlqente te Barcelona, mund ta zëvendësojë Lewandowskin
“Të pamëshirshmit” e Liverpoolit ndëshkojnë gafën fatale të Hannibalit

Një zinxhir lëvizjesh që përfshin Manchester United, Manchester City, Fenerbahçen dhe West Hamin, vendos fatin e katër portierëve brenda pak orësh

Merkatoja e verës ka rezervuar gjithmonë surpriza, por dita e fundit e saj këtë sezon mund të quhet me plot gojën “Dita e portierëve”. Katër klube të mëdha – Manchester United, Manchester City, Fenerbahçe dhe West Ham – janë përfshirë në një zinxhir transferimesh që përfshiu katër portierë të njohur dhe solli një riformatim të befasishëm të roleve në portat e tyre.

Manchester United blindon portën me Lammens

Fillimi i këtij zinxhiri nisi nga “Old Trafford”, ku Manchester United zyrtarizoi transferimin e portierit belg Senne Lammens nga Antwerp. Gardiani 23-vjeçar, edhe pse ende pa një ndeshje me kombëtaren A të Belgjikës, u përzgjodh si investim i së ardhmes nga “Djajtë e Kuq”, të cilët paguan 21 milionë euro për shërbimet e tij. Me një kontratë pesëvjeçare, Lammens shihet si zëvendësues afatgjatë i portës së United.

City ndërron gardianin: largohet legjenda, vjen Donnarumma

Në të njëjtën kohë, në anën tjetër të Manchesterit, Manchester City befasoi me një lëvizje të madhe: transferimi i Gianluigi Donnarummës nga PSG. Portieri italian dhe kapiten i kombëtares së Italisë pritet të mbërrijë në qytetin anglez pas pauzës ndërkombëtare, pasi sot kreu vizitat mjekësore në Itali. Ky hap shënon fundin e një epoke për Cityn, që pas tetë vitesh ndahet nga Ederson, një prej figurave kyçe në sukseset e fundit të klubit.

Ederson zbarkon në Stamboll, bashkohet me Fenerbahçen

Ederson, tashmë 32 vjeç, i ka dhënë fund aventurës në Premier League për të nisur një kapitull të ri në Turqi. Ai zyrtarizoi kalimin te Fenerbahçe për një shumë prej 13–14 milionë eurosh, siç raportoi Fabrizio Romano. Braziliani do të jetë gardiani i parë në një klub që këtë verë është përfshirë fuqishëm në merkato dhe kërkon dominim në kampionatin turk dhe Evropë.

Livakoviç drejt largimit, në skenë futet West Ham

Me ardhjen e Edersonit në Stamboll, duket e pashmangshme largimi i Dominik Livakoviçit. Portieri i përfaqësueses kroate është objektiv i disa klubeve, por më konkret është West Ham, që ka dërguar një ofertë zyrtare në orët e fundit të merkatos. Negociatat janë në fazë të avancuar dhe mund të mbyllen brenda ditës, çka do të përmbyllte një zinxhir transferimesh të pashembullt në pozicionin më të ndjeshëm të futbollit: portën.