Pas largimit nga stoli i Prishtinës së Re, trajneri Elon Berisha ka reaguar publikisht përmes një mesazhi falënderues dhe reflektues mbi periudhën e t
Pas largimit nga stoli i Prishtinës së Re, trajneri Elon Berisha ka reaguar publikisht përmes një mesazhi falënderues dhe reflektues mbi periudhën e tij në krye të skuadrës. Vendimi i klubit e gjeti atë të zëvendësuar nga ish-drejtori sportiv, Shpëtim Babaj.
Berisha ishte pjesë e klubit që nga ditët e tij të para si Shkëndija, duke qenë dëshmitar i transformimit në “Prishtina e Re” dhe i ngjitjes së pandalshme drejt elitës së futbollit kosovar.
Në reagimin e tij, Berisha u shpreh:
“Një kapitull që mbyllet, një rrugëtim që vazhdon… Sot përfundon rrugëtimi im me klubin Prishtina e Re. Kam dhënë gjithçka me punë të ndershme, profesionale dhe me dashuri të madhe – për klubin dhe për zhvillimin tim personal. Jam krenar që, së bashku me Prishtina e Re, kemi shkruar një histori suksesi rekorde për 3.5 vite: nga Liga e Dytë, promovimi në Ligën e Parë, në Ligën e Parë lufta në barazh, deri te hyrja në Superligë dhe konkurrimi denjësisht në mesin e më të mirëve.”
Ai vlerësoi edhe aspektin jashtë rezultateve sportive, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një fryme profesionale brenda klubit:
“Ndjehem i lumtur për kontributin tim në krijimin e një imazhi të klubit që pasqyron qasjen time si individ dhe trajner – se me disiplinë, profesionalizëm dhe besim, gjithçka arrihet me punë të përbashkët.”
Berisha falënderoi kryetarin Rrustem Pacolli dhe bashkëpunëtorët e tij për besimin dhe mundësinë, si dhe lojtarët për përkushtimin e treguar në çdo ndeshje:
“Kontributi i tyre është arsyeja pse sot Prishtina e Re është në këtë nivel.”
Në fund, ish-trajneri i Prishtinës së Re theksoi se kjo përvojë e ka bërë më të fortë dhe të motivuar për të ardhmen:
“Sot, më shumë se kurrë, ndiej se është koha për të bërë hapin tjetër në një ambient të ri – për të vazhduar të ndërtoj e të ëndërroj më shumë.”

