Sllovenia ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Eurobasketit 2025 pas një fitoreje të madhe ndaj Italisë me rezultat 84-77 (29-11, 21-29, 22-16,
Sllovenia ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Eurobasketit 2025 pas një fitoreje të madhe ndaj Italisë me rezultat 84-77 (29-11, 21-29, 22-16, 12-21) në fazën e 1/8-ës, në Rigë.
Lideri i padiskutueshëm i ekipit, Luka Donçiç, shkëlqeu sërish duke realizuar 42 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa për Italinë më efikasi ishte Simone Fontecchio me 22 pikë.
Donçiç ishte i pandalshëm që në çerekun e parë, ku shënoi 22 pikë, më shumë se gjysma e totalit të tij dhe më shumë se të gjithë shokët dhe kundërshtarët së bashku gjatë asaj pjese. Me këtë paraqitje, ai i dha Sllovenisë një epërsi të konsiderueshme që nuk e la kurrë nga duart. Edhe pse Italia e nisi ndeshjen me katër pikët e para, sllovenët reaguan me një seri 15-4 dhe morën kontrollin e ndeshjes.
Ylli slloven vendosi edhe një rekord të ri të Eurobasketit, duke u bërë lojtari me më shumë pikë të realizuara në një pjesë loje – 30 pikë në dy çerekët e parë, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 29 pikësh që vetë Donçiç e kishte vendosur më herët kundër Britanisë së Madhe.
Italia nuk u dorëzua dhe në disa momente iu afrua ndjeshëm Sllovenisë, por gabimet e saj vendimtare i kushtuan shumë. Në fillim të çerekut të tretë rezultati ishte 50-44, por një seri prej 9-0 e Sllovenisë i çoi shifrat në 59-44. Në një moment kyç, me rezultatin 59-50, Italia pati një kundërsulm me tre lojtarë ndaj një slloveni, por Fontecchio shkaktoi faull në sulm – gabimi i tij i katërt personal.
Më afër barazimit Italia arriti kur Fontecchio realizoi për 78-77, 1 minutë e 53 sekonda para fundit. Por, pas dy gjuajtjeve të sakta të Donçiç për 80-77, Fontecchio humbi dy aksione radhazi për italianët – fillimisht me një treshe të papërgjegjshme dhe më pas me një depërtim të pamenduar, duke humbur topin. Donçiç shënoi edhe dy pikë të tjera nga linja e gjuajtjeve të lira dhe vulosi fitoren.
Në çerekfinale, Sllovenia do të përballet të mërkurën me kampionët e botës, Gjermaninë, e cila eliminoi Portugalinë me rezultat bindës 85-58.
Më herët të dielën, Gjeorgjia realizoi një tjetër surprizë duke mposhtur Francën 80-70 (24-20, 14-17, 20-17, 22-16). Tornike Shengelia dhe Kamar Baldwin udhëhoqën gjeorgjianët me nga 24 pikë secili, ndërsa për Francën, më i miri ishte Sylvain Francisco me 14 pikë. Në çerekfinale, Gjeorgjia do të përballet me Finlandën, e cila të shtunën eliminoi Serbinë me rezultat 92-86.
Polonia siguroi gjithashtu kalimin në çerekfinale, pasi mposhti Bosnjë e Hercegovinën me 80-72 (14-23, 26-21, 22-17, 18-11). Jordan Lloyd, amerikani i natyralizuar, realizoi 28 pikë për ekipin e drejtuar nga trajneri kroat Igor Miliçiç, ndërsa Mateusz Ponitka kontribuoi me 19 pikë dhe 11 kërcime. Për Bosnjën, më të mirët ishin Jusuf Nurkiç me 20 dhe John Roberson me 19 pikë. Në çerekfinale të martën, Polonia do të përballet me Turqinë, e cila eliminoi Suedinë me rezultat 85-79.

