Gjermania dhe Sllovenia përballen sot në orën 20:00 në çerekfinalen e Eurobasket 2025. Gjermania mbetet ende e pamposhtur në këtë kampionat, duke përf
Gjermania dhe Sllovenia përballen sot në orën 20:00 në çerekfinalen e Eurobasket 2025.
Gjermania mbetet ende e pamposhtur në këtë kampionat, duke përfituar nga thellësia e skuadrës dhe rotacioni i gjerë. Ndërkohë, Sllovenia mbështetet pothuajse tërësisht te ylli i LA Lakers, Luka Donçiç.
Gazeta gjermane Die Welt, përcjellë Kërlaçki, në një analizë para ndeshjes, ka vënë në pah si cilësitë ashtu edhe dobësitë e Donçiçit, duke theksuar se “lista e kritikave ndaj tij është mjaft e gjatë”.
Akuza të zakonshme, janë:
“Dembel, i shëndoshë, i ngopur me sukses. Thuhet se shpërdoron talentin e tij, i mungon disiplina, vonohet vazhdimisht dhe me sjelljen e tij jep një shembull të keq për shokët e skuadrës. Kritikohet edhe për mungesën e cilësive drejtuese, gjë që – sipas kritikëve – e pengon të tejkalojë statusin e një magjistari spektakolar, por të papërmbushur.”
Sipas artikullit, ekzistojnë shumë rrëfime dhe anekdota që përforcojnë këtë imazh.
“Nëse dëgjon kritikët e tij më të zjarrtë, mund të mendosh se Donçiç do të preferonte të kalonte ditët duke pirë birrë, duke pirë cigare dhe duke luajtur letra me shapka në këmbë. Edhe vetë ka pranuar pjesërisht këtë imazh si një bonvivan. Problemet me peshën dhe kondicionin fizik janë bërë të dukshme çdo sezon, dhe ekzistojnë edhe foto që e dokumentojnë këtë.”
Megjithatë, media gjermane vëren se Donçiç këtë vit duket më në formë dhe ka humbur peshë – ndonëse pyetjet mbeten.
“Shfaqet një dilemë e madhe: a është Donçiç aq i mirë përkundër, apo pikërisht falë stilit të tij të çorganizuar të jetesës? A e kanë ndihmuar këto ‘ekscese’ që të japë paraqitje të jashtëzakonshme, apo e kanë penguar të bëhet ndoshta lojtari më i madh në histori?”
Përgjigjja mbetet e paqartë – madje edhe për drejtuesit e Lakers, të cilët kanë ardhur ta shohin nga afër në Eurobasket. Në humbjet e para ndaj Polonisë (95:105) dhe Francës (95:103), skenari ishte i njohur: Donçiç shënoi 34 dhe 39 pikë, me statistika të mira në kërcime dhe gjuajtje, por në fund dukej i rraskapitur. “Gjithçka si më parë, me përjashtim të pamjes më të mirë fizike,” shkruan Die Welt.
Në fazën e 1/8-ve ndaj Italisë, Donçiç realizoi vetë 22 pikë – dyfishin e gjithë ekipit italian në atë periudhë dhe më shumë se çdo lojtar tjetër në parket. E mbylli ndeshjen me 42 pikë në fitoren 84:77, duke shënuar fiks gjysmën e pikëve të Sllovenisë. Me gjithsej 204 pikë në gjashtë ndeshje, ai është aktualisht shënuesi më i mirë i turneut, shumë përpara finlandezit Lauri Markkanen, i cili ka 156.

