Në ditën e parë të Kampionatit Botëror të Boksit, që po zhvillohet në Liverpool të Anglisë, më 4 shtator, dy boksierë shqiptarë dolën në ring: Loris I
Në ditën e parë të Kampionatit Botëror të Boksit, që po zhvillohet në Liverpool të Anglisë, më 4 shtator, dy boksierë shqiptarë dolën në ring: Loris Idrizi (65 kg) dhe Shpëtim Bajoku (70 kg).
Idrizi u përball me spanjollin Ibarrech Conde Oier, por nuk arriti të siguronte fitore, duke pësuar humbje në një ndeshje të fortë. Ndërkohë, Shpëtim Bajoku shkëlqeu në kategorinë 70 kg, duke mposhtur boksierin nga Iraku, Hassanpour Sina, me një paraqitje dominuese që i siguroi fitoren dhe kalimin në fazën e radhës.

Shpëtim Bajoku
Pas ndeshjes, Bajoku u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke vënë theksin te puna dhe përkushtimi i ekipit:
“Fitorja e sotme është rezultat i punës, disiplinës dhe përkushtimit të madh. Shpresojmë të vazhdojmë me të njëjtat hapa si e filluam dhe të kthehemi edhe me një triumf më të madh, atë të medaljes. Fitorja e sotme nuk do të ishte e mundur pa punën, përkushtimin dhe besimin e trajnerit tim. Faleminderit që keni qenë gjithmonë pranë meje, duke më shtyrë të jap më të mirën dhe duke më treguar se me disiplinë e vullnet çdo gjë arrihet. Kjo fitore është po aq e jotja sa edhe e imja.” – tha Bajoku, duke iu drejtuar trajnerit të tij Faton Xhakli.
Artan Vërbica: Kampionat shumë kompetitiv dhe i paparashikueshëm
Nga dita e parë e garave, ky kampionat po tregohet jashtëzakonisht kompetitiv dhe i paparashikueshëm. Shtetet me traditë të gjatë në boks, që zakonisht dominojnë skenën ndërkombëtare, këtë herë po hasin vështirësi.
Njohësi i boksit dhe analisti Artan Verbica, duke komentuar zhvillimet e ditës së parë, tha:
“Nga dita e parë që kam përcjellur, shihet si një kampionat shumë kompetitiv dhe i paparashikueshëm. Ajo që sot pashë është se shtetet që e kanë boksin e zhvilluar kanë pasur vështirësi dhe do të jem shumë kurreshtar të shoh si do të përfundojë renditja përfundimtare e medaljeve. Pritet që Uzbekistani, Kazakistani, Ukraina, Anglia dhe Kuba të fitojnë sa më shumë medalje, por jo të garantuara, sepse po vërehet që boksi olimpik po ngrihet sërish edhe në vende të tjera. Një mungesë e ndjeshme është Rusia, e cila nuk po merr pjesë në këtë botëror.”
Kampionati do të vazhdojë deri më 14 shtator, ndërsa vëmendja mbetet tek surprizat që pritet të sjellë ky turne i madh ndërkombëtar.

