Eliminimi i Serbisë në Eurobasket 2025 ka shkaktuar tërmet në opinionin sportiv, ndërsa përzgjedhësi Svetislav Peshiç ka lëshuar deklarata të forta mb
Eliminimi i Serbisë në Eurobasket 2025 ka shkaktuar tërmet në opinionin sportiv, ndërsa përzgjedhësi Svetislav Peshiç ka lëshuar deklarata të forta mbi gjendjen e skuadrës dhe disiplinën e lojtarëve.
Pas humbjes në fazën e 1/8 finales ndaj Finlandës, Peshiç ka pranuar se ka humbur kontrollin mbi dhomën e zhveshjes dhe se pjesën më të madhe të autoritetit e ka mbajtur kapiteni Bogdan Bogdanoviç. Pas dëmtimit të tij, situata brenda ekipit është përkeqësuar ndjeshëm.
“Humbja e Bogdanit ishte goditje e madhe. Çdo herë që ndodhte diçka, ai e zgjidhte. Në një moment e humba skuadrën”, – ka thënë Peshiç për mediat serbe.
Ai madje zbuloi detaje befasuese, duke përmendur se disa lojtarë kanë shmangur stërvitjet për të shkuar në kishë. Si shembull, Peshiç përmendi Marko Guduriçin, Aleksa Avramoviqin dhe Ognjen Dobriqin, të cilët, sipas tij, kanë munguar në seanca të planifikuara për gjuajtje sepse kanë marrë pjesë në lutje.
“Jam trajner që kam punuar me lojtarë të të gjitha besimeve. I njoh këta djem për së brendshmi, por mbeta i habitur sa larg shkoi kjo. Në vend të stërvitjes së gjuajtjes, disa shkuan në kishë për lutje. Për më tepër, disa refuzuan të hanin mish, ndërsa energjia është e domosdoshme për ta.”
Peshiç gjithashtu përmendi se Nikola Jokiç ka ardhur në grumbullim me kilogramë të tepërt, por duke pasur parasysh kontributin e tij në sulm, nuk i ka bërë vërejtje.
“Çfarë t’i them? Shihni çfarë na dha në sulm, edhe pse erdhi me peshë shtesë.”
Në fund, ai theksoi se nga 12 lojtarë vetëm Bogdan Bogdanoviç dhe Vanja Marinkoviç kanë qenë në formë të plotë fizike, ndërsa “10 të tjerët kanë ardhur të papërgatitur”.
Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinionin sportiv, duke hapur debat mbi profesionalizmin e lojtarëve, respektimin e përgatitjeve dhe të ardhmen e Pešiçit në stolin e Serbisë. Sipas mediave serbe, largimi i tij nga posti i përzgjedhësit është shumë i mundshëm.

