Përmes një njoftimi për media në mesnatë, klubi i Ferizajt është distancuar nga incidenti në ndeshjen me Prishtinën, duke renditur sjelljet dhe veprim
Përmes një njoftimi për media në mesnatë, klubi i Ferizajt është distancuar nga incidenti në ndeshjen me Prishtinën, duke renditur sjelljet dhe veprimet që, sipas tyre, ‘Plisat’ i kryen dje në Ferizaj. Njoftimi i klubit ferizajas pa ndërhyrje nga redaksia:
“Klubi i Futbollit FC Ferizaj njofton opinionin publik lidhur me incidentin e ndodhur në fillim të ndeshjes së datës 28.09.2025 ndërmjet FC Ferizaj – FC Prishtina, ku një grup huliganësh të tifozerisë “Plisat” nga Prishtina kreu sulme të dhunshme brenda dhe jashtë perimetrit të stadiumit.
Më 27.09.2025, ora 18:43, klubi ynë pranoi një email zyrtar nga FC Prishtina me kërkesën për praninë e tifozerisë së tyre në këtë ndeshje. Po atë ditë, në ora 19:31, FC Ferizaj iu përgjigj me email zyrtar, duke sqaruar se, për shkak të njoftimit të vonuar sipas rregullores së FFK-së dhe pamundësisë për një organizim të rregullt, nuk mund të siguroheshin vendet e nevojshme për tifozerinë mysafire. Ky komunikim zyrtar u përcoll gjithashtu te Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe te delegati i ndeshjes.
Përveç kërkesës standarde për praninë e policisë 48 orë para ndeshjeve kampionale, më 28.09.2025, ora 09:43, klubi ynë i dërgoi një email zyrtar Policisë së Kosovës – Stacioni Ferizaj, duke kërkuar vendosjen e masave shtesë të sigurisë për të parandaluar ardhjen e tifozerisë mysafire.
Megjithatë, në fillim të ndeshjes një grup huliganësh të ardhur nga Prishtina arritën deri te hyrja e stadiumit, ku u ndaluan nga zyrtarët policorë, por filluan sulmin ndaj dy biletashitësve tanë, duke u shkaktuar lëndime të rënda. Më pas, sulmi u përshkallëzua ndaj forcave policore si dhe ndaj tifozëve tanë me shkopinj druri e metali, armë të ftohta, kokteje molotovi dhe fishekzjarre, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe demolimin e disa automjeteve të parkuara.
Klubi i Futbollit FC Ferizaj e dënon ashpër çdo akt dhune dhe huliganizmi, duke theksuar se futbolli është sport i dashurisë dhe i respektit, jo i dhunës. Ne u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.

