Victor Osimhen ishte heroi i Galatasarayt, duke shënuar golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Liverpoolit në Stamboll, një sukses që i dha skuadrës turk
Victor Osimhen ishte heroi i Galatasarayt, duke shënuar golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Liverpoolit në Stamboll, një sukses që i dha skuadrës turke pikët e para në këtë edicion të Ligës së Kampionëve dhe shënoi humbjen e dytë radhazi për “The Reds” në të gjitha garat.
Pas disfatës së parë në Premier League ndaj Crystal Palace, Liverpool shpresonte për një rikthim të shpejtë, por udhëtimi në atmosferën elektrizuese të Rams Park rezultoi një sfidë shumë më e vështirë. Që në minutat e para, Alisson u detyrua të shpëtonte portën përballë Barış Yılmaz në një situatë një kundër një.
Vetëm pak minuta më vonë, portieri brazilian u përball me një penallti të Osimhen, pas një faulli të Dominik Szoboszlai ndaj Yılmaz, menjëherë pasi Cody Gakpo kishte pasur një mundësi të ndalur në vijën fatale në portën tjetër. Sulmuesi nigerian nuk gaboi, duke goditur fort në qendër dhe duke shënuar golin e tij të gjashtë në po aq ndeshje kundër skuadrave angleze.
Liverpool tentoi të reagojë me Florian Wirtz, i cili detyroi një pritje të bukur nga Uğurcan Çakır, por në tërësi, pjesa e parë ishte e mbushur me gabime dhe mungesë qartësie nga të besuarit e Arne Slot.
Në fillim të pjesës së dytë, një pasim i gabuar i Liverpoolit u përvetësua nga Osimhen, i cili u përball sërish me Alisson. Portieri arriti të ndalojë goditjen, por pësoi një dëmtim që e detyroi të largohej nga fusha. Në vend të tij, debutoi në Ligën e Kampionëve Giorgi Mamardashvili. Pak më vonë, Slot hodhi në fushë Alexander Isak, Conor Bradley dhe Mohamed Salah, në një përpjekje për të gjetur barazimin.
Megjithatë, mbrojtja e Galatasarayt rezistoi fort. Në minutat e fundit, dukej se Liverpool do të shpëtonte me një penallti, kur arbitri Clément Turpin akordoi faull ndaj Wilfried Singo, por pas rishikimit me VAR vendimi u anulua.
Tetë minutat shtesë nuk mjaftuan për anglezët, të cilët tani nuk kanë fituar në tre transfertat e fundit kundër Galatasarayt dhe do të shkojnë drejt sfidës me Chelsean në fundjavë me shumë pikëpyetje pas kësaj disfate të dytë radhazi.

