Skuadra gjakovare e Vëllaznimit ka vazhduar marshimin e saj mbresëlënës në Raiffeisen Ligën e Parë, duke e kaluar me sukses një nga testet më të vësht
Skuadra gjakovare e Vëllaznimit ka vazhduar marshimin e saj mbresëlënës në Raiffeisen Ligën e Parë, duke e kaluar me sukses një nga testet më të vështira të sezonit deri tani. Fitorja minimale 1-0 ndaj Ramiz Sadikut jo vetëm që i dha tre pikë të çmuara ekipit të drejtuar nga Xhengis Rexhepi, por edhe ia shkaktoi kundërshtarit humbjen e parë pas pesë javësh të pamposhtur.
Trajneri Rexhepi, në një prononcim për Kërlaçki pas ndeshjes, e vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe theksoi se suksesi erdhi si rezultat i përgatitjes së mirë taktike.
“Ndeshje e rëndë në çdo aspekt, pasi Ramiz Sadiku ka një skuadër mjaft cilësore dhe me plot meritë i kanë fituar pikët deri tash. E kemi analizuar mirë kundërshtarin, ashtu siç e përgatitëm ndeshjen, ashtu edhe e luajtëm dhe me plot meritë kemi fituar tri pikë shumë të rëndësishme”, u shpreh tekniku tetovar.
Vëllaznimi aktualisht ndodhet në vendin e parë me 16 pikë pas gjashtë javësh, tre më shumë se ndjekësit më të afërt, dhe po tregon ambicie të qarta për ngjitjen në Superligë. Megjithatë, Rexhepi qëndron me këmbë në tokë dhe nuk ngutet në deklarata për objektiva sezonalë.
“Sa i përket kreut të tabelës, mendoj se është shumë herët të flasim për renditjen, pasi kanë kaluar vetëm gjashtë xhiro. Jemi ende në fillim. Kemi bërë punë të mirë deri tash, por kampionati është i gjatë”, shtoi ai.
Fitorja ndaj Ramiz Sadikut është një tjetër dëshmi e seriozitetit dhe konsistencës së Vëllaznimit këtë sezon, ndërsa skuadra nga Gjakova po forcohet si një nga kandidatët më të fortë për rikthim në elitën e futbollit kosovar.
Vëllaznimin e pret tjetër ndeshje e vështirë në javën e 7-të ku në Gjakovë do të presin Trepçën ’89.

